Kam dëgjuar shpesh diçka, të cilën e besoj: që fillimi i kurimit të një problemi është njohja e tij. Ne jetojmë në një vend të mbushur me probleme. E kotë që t’i numërosh, sepse secili nga ne do ketë patjetër diçka për ti shtuar listës…

Ky tekst ju drejtohet në fakt vetëm atyre që besojnë se zgjidhja e problemeve shqiptare, nis nga secili shqiptar si individ më vete, si të thuash  - nga rindërtimi i përditshëm i vetes dhe nga ripozicionimi në raport me të tjerët. E thënë ndryshe Shqipëria do jetë ndryshe kur secili nga ne do jetë ndryshe. Unë e di që e shkruar e zezë në të bardhë, kjo ngjan një fjalë goje. Por kini parasysh që ky ndryshim është nga ato pak vendime ku nuk e gënjen dot veten: shkurt nuk mund ta bësh, nëse nuk e beson. Në të njëjtën vijë logjike, ndryshimi individual, nis kur ia njeh problemet vetes. Këtu nis dhe ftesa ime për debat: Cili është identikiti i shqiptarit 2006? Cilat janë tiparet e individit shqiptar? Cilat janë ato spikama që mund të veçojmë nga kjo tërësi humane ngjarjesh dhe marrëdhëniesh që na ka bërë këta që jemi? Pyetja e madhe: Çfarë duhet të ndryshojmë te vetja dhe si ?

Shkrimet e fundit nga Adrian Thano