Ajo që njihet tashmë si “video-skandali i ushtrisë greke‿ ka marrë disa përmasa që as vetë zbuluesi i rastësishëm i saj në Youtube, Cesk Marjakaj një emigrant shkodran në Suedi (më parë ka jetuar 3 vjet në Greqi), nuk do ti kishte imagjinuar kurrë. Që nga botimi i të dhënave të para mbi ekzistencën e videos mesjavën e shkuar në Gazetën greke Ta Nea në Athinë dhe gazetën Shekulli në Tiranë, kanë kaluar tashmë ditë. Ditë të mbushura me reagime publike (deri në diegie flamujsh në ndonjë qendër qyteti) dhe reagime politike (nga ministritë e mbrojtjes së dy vendeve dhe së fundi një diskutim në seancën e së hënës pasdite në Kuvendin e Shqipërisë).

Këndvështrimet janë shumë, por le të merremi me ato pak që sjellin dobi dhe mësime. Doja të diskutonim në këtë blog dy gjëra: E para, diçka mbi personazhin më interesant të kësaj historie: Emigrantin që sinjalizoi Ta Nean dhe Shekullin për ekzistencën e kësaj videoje në internet. Ceskun E para: A e kemi kuptuar sa dhe si duhet aktin e Ceskut? Pse është e rëndësishme kjo… Sepse Çesku është shembulli i parë i një shqiptari që jo thjesht flet, shan, nxin, e së fundi ngatërrohet me veten e me të tjerët, por para së gjithash vepron dhe madje e ka të qartë arsyen dhe qëllimin e saj që bën: Ky djalë i thjeshtë, deri pak ditë më parë i panjohur, gjeti mënyrën që të vejë në lëvizje dy gazeta të mëdha në Athinë dhe Tiranë. Është shembulli i parë i një sjellje aktive, të matur, të pjekur.

Është rasti i parë (së paku publik) i marrëdhënies shqiptar-atdhe, me kah për nga atdheu. Të mësuar me shqiptarë që në këtë raport kaq të rëndësishëm, kërkojnë gjithçka, por nuk japin asgjë, sigurisht që miku ynë Çesk Marjakaj i meriton dy rreshta.. Unë kam pasur disa kontakte në telefon dhe email me Çeskun para dhe pasi vendosëm publikimin e të dhënave të videos. Ai është një djalë i zgjuar, një shqiptar i mirë, një shkodran i vërtetë. As që donte madje të bëhej publik. Isha unë dhe “diabolizmi‿ pozitiv i zanatit tim që e bindi për këtë.. Dhe sa për të kuptuar diçka më shumë rreth tij dhe qëllimeve të tij, po citoj ato që më shkruante dje, pas daljes së një deklarate zyrtare nga qeveria greke mbi video-skandalin: “…Dëgjova nga vëllai se ministria e mbrojtjes greke kishte bere një deklarate të shëndoshë për shtyp në favor të miqësisë ne mes te dy vendeve dhe se ata po punonin që këto gjëra të mos ndodhin në të ardhmen…

Mendoj se do te ishte shume mire nëse ju shkruani një shkrim te balancuar qe i ve ne dukje edhe këto deklarata. Tek e fundit ky ka qene edhe qëllimi im qe te sensibilizohet opinioni dhe qe qeveria greke te marri masa…‿.

Ky është Cesku, i njëjti që me fjalët dhe mënyrën si na njoftoi për videot në Youtube, javën e shkuar, arriti të bindte si mua që u mora me këtë cështje te Shekulli, si njeriun e Ta Nea-s që u mor me çështjen në Athinë, që të ishim të matur dhe të jepnim mesazhin e duhur me publikimin. Përfundimisht, sjellja e tij është një akt i mençur që duhet evidentuar si i tillë dhe duhet servirur si shembull.. Shpresoj shumë që ata kolegë që më kanë kërkuar këto ditë adresën email dhe numrin e telefonit të Çeskut, ta trajtojnë rastin e tij në këtë këndvështrim të tij të raportit shqiptar-Shqipëri. Është mendoj, një këndvështrim i dobishëm për të gjithë.. Përndryshe, prej kësaj që ndodhi, nuk kemi mësuar asgjë më tepër se ajo që dimë prej kohësh: që në Greqi paska edhe racizëm antishqiptar…

*** E dyta që do të doja të debatonim këtu është mënyra se si ne, “shqiptarët e medias dhe politikës‿ i qasemi çështjeve dhe njëri tjetrit në debatet mbi tema që hanë diskutime të gjera publike. Nuk dua të zgjatem, por fjalën e kam prapë te raporti shqiptar-atdhe që përmenda në rastin e Çeskut. Me sa afsh dhe me çfarë force i sulemi ne, fjala vjen një kundërshtari politik që kemi përballë, apo një fqinji që na bezdis, apo një kolegu që mendon ndryshe nga ne.. Çfarë urrejtje dhe çfarë energjish shpërthyese konsumojmë për “ti treguar vendin‿ atij tjetrit që rivalizon…

Çfarë fantazie thuajse vrastare shohim të marrë krahë në debate politike, apo grindje publike këtu brenda fshatit tonë … Po ku fshihet, ku shkon, kjo energji, kjo forcë, kur zemrën, shpirtin, mendjen, mbrojtjen dhe analizën e kërkon jo ne, jo individi, jo klani, jo partia, jo fisi, por të gjitha këto bashkë, pra vendi që na përket të gjithëve, kjo copë që gjeografikisht njihet si Shqipëri dhe që në librin e rekordeve mund të klasifikohet si vendi ku sporti kombëtar është “si t’i nxijmë jetën njëri-tjetrit?‿ Sa të fortë, sa të guximshëm, sa të zgjuar, sa krenarë bëhemi në mbrojtje të metrave katrorë të sipërfaqes fizike dhe shpirtërore që e kemi personale ose të klanit - sa të vakët, sa të frikur, sa të fshehtë, sa të ligj, sa të shurdhët, sa të verbër, bëhemi kur, mbrojtjen dinjitoze, qëndrimin qytetar, reagimin në përgjithësi na e lypin kilometrat katrorë të përbashkët…

Pse Shqipëria si një e tërë, nuk arrin kurrë të ndezë të njëjtën energji që na ndez rivali politik, fqinji grindavec, kolegu alternant

Shkrimet e fundit nga Adrian Thano