Përpara në tryezën e zyrës, kam një tufë letrash të bardha, zyrtare, të firmosura nga një avokat italian. Në krye të faqes së parë lexohet:

“Gjykata Civile e Romës, akt për thirrje në gjyq”… Dhe pak më poshtë:
“Kundër: Koço Kokëdhima, i biri i Theodhorit, lindur në Qeparo, me vendbanim në rrugën “Ismail Qemali”, Pallati i “Abissnet”, Tiranë, Shqipëri…”.Paditësi është një shtetas italian. Shpresoj që, së paku, emri të mos ketë dalë ende nga memoria e publikut: Francesko Beketti!

Ky është gjyqi i dytë ndaj Kokëdhimës, me të njëjtin paditës dhe me të njëjtën padi. Kësaj here, në Romë. Gjyqi i parë në Tiranë, dënoi botuesin e gazetës “Shekulli” me një gjobë, që juristët e klasifikuan tek më të rëndat e llojit të vet, në historinë e gjyqësorit shqiptar.

Shkaku i gjyqit: Fushata që gazeta “Shekulli” dhe botuesi i saj, ndërmorën kundër projektit për importin dhe asgjësimin e mbeturinave (shtëpiake dhe jo vetëm) të fqinjëve tanë italianë, në një impiant djegieje në hyrje të Tiranës. Projekti njihet publikisht si Marrëveshja Beketi-Nano. Sipas marrëveshjes, maunet me mbeturina do të silleshin përditë nëpërmjet Portit të Durrësit, nga Italia fqinje. “Shekulli” zbuloi në 2004 ekzistencën e kësaj marrëveshjeje, të mbajtur në errësirën e mungesës së transparencës nga ish-qeveria “Nano” e asaj kohe.

Siç lexohet edhe në historikun e shkurtër që shoqëron padinë e dytë të F. Beketit, ndaj botuesit të “Shekullit”: “Pas aprovimit të projektit të propozuar nga Albaniabeg ambient, në vitin 2004, u miratua marrëveshja midis shoqërisë së lartpërmendur dhe Qeverisë Shqiptare, në personin e Fatos Nanos, kryeministër në atë kohë”. Pas zbulimit të ekzistencës së kësaj marrëveshjeje, “Shekulli” i prezantoi publikut përmbajtjen e saj, qëllimet, shifrat, dëmet, rreziqet, gjithçka që shërbeu më pas si ndezës i interesit qytetar dhe i disa shoqatave ambientaliste, që u organizuan kundër zbatimit të kësaj marrëveshjeje në terren.

 Zbatimi i marrëveshjes u ngri. Shqipëria ishte shfaqur në planet e projektuesve, pas shndërrimit të plehrave dhe mbeturinave në një problem për Italinë. Në Romë ishte bërë e padurueshme pika e grumbullimit të Malagrottës. Edhe sot mund të gjenden në Google, mijëra tituj për “Malagrottën”. Në pamundësi për të vepruar në Romë, për shkak të kundërshtive të komunitetit të atjeshëm, projektuesit u shtynë në qytete të jugut italian, duke tentuar të transferonin dhe digjnin aty plehrat e Romës. Reagimi i atyre qyteteve është i dokumentuar: Qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre bashkiakë, shtriheshin shinave të trenave në shenjë proteste. Pati përleshje me policinë dhe të plagosur. Në kushte të tilla, u projektua një “zgjidhje ideale”: Shqipëria fqinje. Shqipëria e varfër dhe e paditur. Shqipëria e zhytur në konflikte politike dhe sociale.
Shqipëria e trullosur deri në atë pikë, sa nuk kupton ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Shqipëria e qeveritarëve të korruptuar. Shqipëria e intelektualëve në arrati. Çfarë viktime perfekte! Dhe Shqipëria, nëpërmjet firmës së kryeministrit të vet, Nano, dhe dy tre ministrive të linjës, ishte gati të firmoste. Madje, firmosi! Pranoi atë që nuk pranonin as vetë italianët. Sikur mos ishte për “Shekullin” dhe Kokëdhimën, tashmë procesi do kishte tre vjet që do kishte nisur: transport plehrash në hapësirën tonë detare, prurje të mijëra tonëve në ditë nëpër doganat tona (mendoni çfarë tjetër mund të kalonte në kontrollet tona kufitare të kalbura nga korruptimi; supozohet se duhet të kontrollonin përditë mijëra ton plehra), rrugëtimin e përditshëm e të përnatshëm nga Durrësi në Tiranë dhe së fundi, djegien e plehrave të fqinjëve në portat e Tiranës. Marrëveshja “Nano-Bechetti”, për import dhe djegie plehrash, ishte vetëm një nga dhjetëra denoncimet që “Shekulli” ka publikuar në mbrojtje të interesave qytetare.

Nuk ka në mend kush t’i përmendë e ripërmendë, por ky denoncim për plehrat, që na rezulton një nga denoncimet me tendencat më të forta për t’u rikthyer në skenë. Padia e dytë ndaj Kokëdhimës, vjen pak muaj pas daljes së vendimit për padinë e parë. Padia e parë u gjykua në Tiranë. Një treshe gjyqtarësh e Tiranës cilësoi të drejtë padinë e Beketit kundër Kokëdhimës, ku i pari akuzonte të dytin, se “e kish sharë “mafioz”. Ishte mjaft e fisme të merrej një vendim i ndryshëm. Dhe kjo nuk ishte aspak e vështirë. Mjafton një lexim i shpejtë i padisë, që të kuptosh se paditësi braktis djallëzisht kontekstin, për të analizuar fjalë e togfjalësha të veçuar. Një prej të cilave “plan mafioz”, e përmendur në komentet e Kokëdhimës. Tre gjyqtaret tona mund të hapin në internet shtypin italian të muajve të Malagrotës: Është i mbushur me togfjalësha “ambienti dhe ekomafia”. Nuk kemi dëgjuar për ndonjë dënim të tillë gjyqësor linguistik andej… E dyta padi, ka mbërritur në zyrat e Kokëdhimës në fillim të këtij viti. Është sërish e njëjta skemë.

 Paditësi ka mbushur 19 faqe format me analizën e fjalës “mafioz”, të cilën Kokëdhima e ka ripërmendur në deklarimet e tij, mbi vendimin e gjyqit për padinë e parë. Bashkëfirmosësi i Nanos në marrëveshje, kërkon nga Kokëdhima 5 milionë euro dëmshpërblim kësaj here. Çfarë po ndodh? Italiani Beketti, duket i inkurajuar nga vendimi për padinë e parë? Apo kemi këtu një tentativë të përbashkët Qeveri-Beketti për të kryer një rikthim të projektit të paralelizuar me një padi miliardash, me qëllim presionin ndaj Kokëdhimës dhe “Shekullit”? Nuk do ishte çudi në kushtet e rikthimit të dhjetëra projekteve të tjera, të mira e të këqija, dikur të pështyra e të sulmuara në opozitë, sot çuditërisht të rikthyera në prioritete qeverisëse. Është pak ta quash karagjozllëk dhe hipokrizi ekstreme…

Shkrimet e fundit nga Adrian Thano