Mero Baze

Qeveria duket se po humbet ndjeshëm besueshmërinë në opinionin publik me qëndrimet e saj të kompleksuara nga vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka. Prej momentit kur lajmi u bë publik dhe nisi të sundojë opinionin, qeveria ka bërë veprime të çoroditura dhe shpesh herë qartazi të kompleksuara nga ideja se bëhej fjalë për një kundërshtar të saj.
Kryeministri Berisha, dukej qartë se në veprimet e tij ishte realisht i shqetësuar nga ngjarja, por e trajtonte atë në mënyrë armiqësore.

Media e tij zyrtare, e cila vajtoi gati një muaj të tërë një viktimë aksidenti automobilistik në Tiranë, që shoqëronte Dritan Hoxhën, heshti për këtë aksident dhe thuajse e injoroi faktin se viktima ishte personazh kyç i një historie makabre korrupsioni në Shqipëri. TVSH e dha atë si një lajm të fundit pa rëndësi, ndërsa së paku dy gazetat RD dhe 55, e trajtuan si kronikë të zezë. Policia, dhe sidomos daljet publike të zotit Nishani, ishin zhgënjyese, pasi jo vetëm që nuk jepnin ndonjë të re që të dëshmonin përfshirjen e qeverisë në interesin për hetim të shpejtë, por gati në mënyrë zhvejgiane, kur gjithë Shqipëria priste shkaqet, ministri na thoshte se emri i viktimës ishte Kosta Trebicka.
Kjo sjellje e çoroditur, e krijuar nga komplekset që prodhoi mbi qeverinë vdekja e Trebickës, dëshmon për faktin se garnitura politike në pushtet e ka konsideruar në koshiencën e saj Kosta Trebickën kundërshtar të saj. Ky moment psikologjik është shumë i rëndësishëm për të shpjeguar sjelljen anormale të administratës së Berishës në marrëdhëniet publike prej ditës së premte, kur Trebicka u gjend i vdekur.
Në të vërtetë, kushdo që e njeh fare pak mënyrën se si funksionon zoti Berisha, e kupton që kjo më shumë se sa një direktivë është pasojë e sistemit të mbyllur që i aplikon për të kontrolluar një situatë të tillë. Shteti nuk kishte ç’të fshihte dhe të mbulonte në pasvdekjen e Kosta Trebickës, pasi detajet ishin publike. Nëse ka gjë për të fshehur, ato janë pjesë e kohës para vdekjes së Trebickës.

Sali Berisha e humbi këtë betejë dhe zor se rikuperon dot më. Këtë bilanc të humbur të qeverisë do ta thellojë më tej media në ditët që vijojnë, për shkak se akuzat e Trebickës, janë administruar nga prokuroria, por nuk janë administruar nga gjykata. Nëse në javët që vijnë mund të thirren në prokurori njerëzit që ka akuzuar Trebicka, prokuroria nuk bën dot më ballafaqim me dëshmitarin dhe dëshmitë e Trebickës do të dështojnë.
Ai ka përshkruar një skenë takimi mes Diverolit dhe dy të tjerëve që paraqiteshin si njerëz të Berishës, ka përshkruar një takim të tij me djalin e Berishës dhe ka bërë deklarata që lënë të kuptojë se para gjykatës mund të thoshte dhe fakte të tjera. Tashmë ky rrezik për të akuzuarit ka rënë.
Sa herë të përmenden këto fakte të administruara prej prokurorisë në gjykatë, aq herë shqiptarët do të dyshojnë se mungesa e Trebickës në sallë nuk është aksidentale. Dhe një shkak pse do mendojnë kështu është sjellja publike e qeverisë dhe kryesisht e Berishës.

Marre me shkurtime nga artikull i botuar tek TEMA

Shkrimet e fundit nga Mero Baze