ELBASAN- Një ngjarje që për pak sa nuk ka përfunduar tragjikisht për dy të moshuara nga fshati Bathës i Elbasanit ka zbuluar edhe një histori të veçantë. Dy gra kanë jetuar në bigami një jetë të tërë me dëshirën e tyre dhe madje kanë pasur marrëdhënie shumë të mira, aq sa të afërmit dhe fqinjët thonë se as motrat prej një gjaku nuk do të kishin një marrëdhënie të tillë.
Në fakt, njëra prej të moshuarave sapo është përmenduar pak, ka thërritur emrin e Esmasë, gruas së parë të Shaqirit, bashkëshortit të të dyjave dhe ka pyetur si ishte ajo. Fëmijët, nuset, nipërit dhe mbesat e dy grave, më mirë, të gruas së dytë, kujdesen për Esmanë sikur edhe ajo të ishte nëna e tyre. Ata thonë se nuk kanë dëgjuar një fjalë të keqe nga ajo dhe dy të moshuarat janë mbështetur tek njëra-tjetra edhe pas vdekjes së bashkëshortit 15 vjet më parë.
Kur i pyet për emrin e grave, Shyqyriu thotë emrin e nënës së tij Nazes dhe emrin e gruas së babait, Esmasë, ndërsa mbiemrin Çekrezi për të dyja. 44-vjeçari, që është edhe djali i madh i familjes thotë se dy të moshuarat jetonin vetëm kohët e fundit, pasi djemtë kanë shkuar në Greqi duke marrë edhe nuset me bashkim familjar. “Vajza ime 15 vjeçe shkon çdo mëngjes tek gjyshet dhe sot në mëngjes kur ka shkuar i ka gjetur në krevat pa asnjë shenjë jete.
Mendoj se ato kanë vënë mangallin me prush për natën, pasi janë larguar nga dhoma e ndenjjes për të rënë në gjumë aty nga ora 22:00. Më pas kur është fikur prushi, gazi ka bërë efektin e vet. Ne me shpejtësi i sollëm në spital, pasi ato kishin vështirësi në frymëmarrje. Nuk di sa do të përmirësohen duke qenë se janë të moshuara”.
Të gjithë e kanë pranuar këtë histori dhe në fshat askush nuk flet keq për Shaqirin. Ata e vlerësojnë për faktin se ai nuk e përzuri gruan që nuk bënte fëmijë, siç edhe ndodh rëndom, por e mbajti dhe u kujdes për të. Edhe për Esmanë fqinjët thonë fjalët më të mira duke e respektuar si një grua që njohu dëshirën e bashkëshortit për të vazhduar trashëgiminë dhe vendosi vetë ajo t’i thoshte se ai duhet të merrte një grua tjetër për të pasur fëmijë.
Histori të tilla ka pasur shumë, sidomos në fillimin e shekullit XX, ku bigamia nuk është dënuar, madje burri kishte detyrim të kujdesej për gruan e parë, edhe pse ajo s’mund të kishte fëmijë.
Ligjërisht, bigamia është e dënueshme, por kjo familje ka gjetur një zgjedhje që të dy gratë të mbanin të njëjtin mbiemër. Bëhet fjalë për rreth 50 më parë. Kadrie Coha, motra e gruas së dytë të Shaqirit tregon se ajo e ka respektuar shumë gruan e parë, pasi ajo e respektonte të motrën.
Nuk janë zënë asnjëherë të dyja, madje kanë shkuar aq mirë, sa as ne me motrat tona nuk shkojmë aq. “Shaqir Çekrezi ishte i martuar me Esmanë, por nuk kishin arritur të kishin fëmijë. Martesa ka vazhduar për disa vite dhe pas përpjekjeve të kota, Esmaja i thotë se ai mund të martohej prapë, pasi ajo nuk mund t’i dhuronte trashëgimtarë. Me konsensusin e gruas ai ishte martuar, por gjithçka ishte pleqëruar në fshat, pasi bëhet fjalë për vitet 1960.
Atëherë Shaqiri u martua me motrën time, Nazen, por nuk e përzuri Esmanë. Ajo qëndroi aty, e ndihmoi Nazen të rriste 9 fëmijë dhe iu gjend pranë në çdo hall. Çuditërisht ato shkuan shumë mirë, pavarësisht se nuk ka shemra që shkojnë mirë. Esmaja nuk e shikoi si një njeri të keq motrën time dhe motra ime e respektoi për fatkeqësinë që kishte se nuk mund të lindte fëmijë. Ato të dyja vazhduan të jetojnë e të punojnë bashkë, pasi Esmaja ishte 10 vjet më e madhe dhe motra ime ia dëgjonte fjalën.
Fëmijët u martuan e u sajuan, u bënë me nipër e me mbesa, të cilët i respektojnë të dyja njëlloj. Bashkëshorti i vdiq në vitin 1993 dhe dy gratë u mbështetën tek njera-tjetra deri tani. Sigurisht që djemtë e vajzat i kanë qëndruar pranë, edhe pse kohët e fundit emigracioni dhe bashkimi i familjeve bëri që ato të mbeteshin vetëm”.

*****

Ngjarja qe zbuloi bigamine

(Naze Çekrezi 70 vjeç dhe Esma Çekrezi 80 vjeç janë gjetur të asfiksuara nga mbesa 15-vjecare në dhomën e gjumit rreth orës 8:30 të mëngjesit. Menjëherë të afërmit i kanë transportuar drejt spitalit kirurgjik ku ndodhen ende në terapi intensive. Djali i njërës prej grave, Shyqyri Çekrezi, tregon se në dhomën e gjumit ku flinin dy të moshuarit kishin vënë një mangall me prush. Kjo ka bërë që gjatë natës të çlirohetmonoksid karboni që ka shkaktuar edhe asfiksimin e dy të moshuarave.
Sipas mjekut reanimator, Behar Gjevori, dy të moshuarat kanë ardhur në gjendje të rëndë, por me mjekimin e marrë dhe terapinë ato janë nën kontroll. “Dy pacientet kanë ardhur nën një shok toksik të shkaktuar nga monoksidi i karbonit, i cili është mjaft i rrezikshëm pasi ka efekt të shpejtë lidhës me hemoglobinën. Asfiksimi ka krijuar edhe probleme për zemrën tek dy të moshuarat edhe për shkak të moshës së tyre. Ne i kemi nën kontroll me mjekimet e nevojshme duke pritur edhe reagimine tyre nga intoksikimi”. )

Shkrimet e fundit nga Bardha Nergjoni