Legjislacioni komunist dhe ai i ndikuar nga religjioni, ndalonte atë që ekzistonte vetëm teorikisht, sepse homoseksualizmin e dëbonin në ilegalitet, por praktikisht ekzistonte. Demokracia si rend jo më i mirë shoqëror, por më i miri që ka zbuluar njeriu deri më sot, pranon ekzistencën e tyre dhe toleron jetën e tyre duke mos futur hundët dhe duke mos politizuar orientimin privat seksual të një njeriu.

Nuk është detyrë e shtetit të mbikëqyr se kush me kë dhe si kalon çastet e dashurisë.

Homoseksualizmi ekzistonte edhe në Greqinë e Romën antike, me ardhjen e religjioneve këta njerëz u përjashtuan nga jeta normale dhe më vonë Hitleri nisi edhe eliminimin e tyre, ndërsa në komunizëm nuk i digjte si fashisti, por i burgoste si ata që mendonin ndryshe.

Religjionet e konsiderojnë perversion martesën e të njëjtës gjini, por martesën me katër e quajnë legjitime, ku gratë konsiderohen lodra të mashkullit. Religjionet e konsiderojnë perverse homoseksualizmin, por “ sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë “ konsiderohet dëshirë Zoti. Vatikani zakonisht i vëren gabimet e veta pas 500 vjetëve dhe kërkon ndjesë. Edhe këtë gabim të sotëm do ta vërej, pasi t´i ketë pranuar dhe shqyrtuar si duhet radhët e veta. Dhe, do të kërkojë ndjesë…

Homoseksualizmi nuk është sëmundje ngjitëse. Reagime e shumta në “Shekull” mendoj se flasin për dy e më shumë aspekte: ata të cilët janë homoseksual në luhatje e sipër dhe kundërshtojnë; ata që për shkak të gjykuarit anadollak e përjashtojnë ( nuk mund të ndryshohet mendësia për një shekull, kur dihet se na sunduan pesë shekuj, edhe reagimet ishin pikërisht të tilla) dhe ata të cilët në emër të një patriotizmi të rrejshëm përpiqen ta ruajnë dëlirësinë dhe pastërtinë e kombit. Në vend se të kujdesen për punët e veta, preokupohen për atë që nuk u takon. Karakteristika tipike të kombeve me struktura fisnore. Reagime të tilla mund të priteshin nga vendet jashtë Evropës, jo në Shqipëri.

Ne dimë se Shqipëria dëshiron t´i bashkëngjitet lokomotivës dhe civilizimit evropian, por nëse merren për bazë qëndrimet shqiptare ndaj homoseksualizmit, atëherë dëshira jonë është që Evropa të bëhet si ne, respektivisht të rrimë sa më larg saj.

Sot habitemi se si në komunizëm ndalohej mendimi lirë. Me reagimet tona, përsëri rithërrasim komunizmin dhe rendin puritan. Intelektualët që nëpër internet shkruajnë dhe bëjnë apele banale – derisa vetë jetojnë në perëndim, e ndoshta mjeku i tyre është homoseksual – duhet të dinë se me ndalimin, nuk nënkuptohet edhe mosekzistimi, ata do të ekzistojnë si gjithmonë, por tani të strukur nga frika dhe reagimi i shoqërisë primitive, si në komunizëm e fashizëm.

Homoseksualizmi qenka perversion, por jo arat me kanabis sativa, që helmojnë fëmijët e pafajshëm. Korrupsioni nuk qenka perversion, as votimet tribale ku voton krejt familja nën mbikëqyrje, jo.

Është koha kur inteligjencia shqiptare që luftoi për demokraci, të luftojë edhe për ata që nuk janë si ne, shumica. Është obligim i saj se nesër do të turpërohet nga qëndrimet e veta. Evropës dhe botës do t´i dërgohej një mesazh i qartë: mesazh shqiptar!

Askush nuk ka të drejtë t´i parashkruaj dikujt se si dhe me kë duhet ai të kalojë natën.

Unë do t´isha ndjerë i lumtur po të pensionohej Sali Berisha. Pas naftës Serbisë dhe rrënimin e shtetit shqiptar, ky njeri nuk e ka merituar të drejtojë këtë shtet, mirëpo në këtë rast duhet të përkrahet.

Me këtë ligj Shqipëria tregon nivelin e civilizimit, për reagimi anadollak nuk është risi, se ekzistojnë e din edhe bota, por t´i tregojmë botës se ne nuk i fusim hundët aty ku nuk na takon dhe kujdesemi vetëm për veten.

T´i tregojmë se jemi evropian dhe se pranojmë diferencat dhe se në aspektin e qytetarisë jemi para Serbisë dhe Maqedonisë dhe pjesëve tjera të Ballkanit.

Ky ligj do të dëshmonte me fakte se ne jemi:SHQIPTAR dhe asgjë tjetër!

T´i mbrosh të drejtat e atyre që nuk janë si unë dhe Ti, domethënë, të pranojmë se kjo botë nuk është bardh e zi, por ka edhe ngjyra.

T´i mbrosh të drejtat e tyre, domethënë të hidhesh në një botë të rrezikshme paragjykimesh dhe do të gjykojnë e gozhdojnë si Krishtin; pikërisht ky është motivi që duhet ta mobilizojë çdo intelektual shqiptarë dhe t´i mbrojë ata që nuk janë si unë dhe Ti.

Le ta jetojë çdo njeri jetën e vet sipas dëshirës së vet, jo sipas times apo Tëndes.

Biologët dhe ata që merren me gjenetikë konstatojnë se tre gjene te homoseksualët kanë pësuar një ndryshim, mirëpo kjo akoma nuk është fjala e fundit shkencore për homoseksualet, domethënë një ditë do të kuptohet arsyeja, por tani për tani mjekësia u mbetet borxh…

Ka një peshk, ndoshta ka edhe kafshë tjera, që posedon të dy gjinit. Orata quhet në italisht, Goldbrasse në gjermanisht. Një bilog detar në RAI1 deklaroi se një peshk, emri tij për fat të keq nuk më kujtohet, 10 vite po jetuaka si femër, pastaj ndryshon gjininë.

Këto nuk po përmendi për kuriozitet, por për të dëshmuar se në natyrë ekzistojnë fenomene të ndryshme dhe as njeriu nuk bën përjashtim, sepse trupi mund të jetë ndryshe, por shpirti ndryshe dihet dhe homoseksualizmi dëshmon se dallime të tilla ndodhin. Me mijëra vjet po tregon se një dallim i tillë mes shpirtit dhe trupit mund të ekzistojë, mund të ndodhë…

Nesër Guido Westerwelle do të bëhet ministër i punëve të jashtme të Gjermanisë dhe do ta vizitojë Shqipërinë, ky, si avokat ka mbrojtur shumë shqiptar në Gjermani gjatë progromit serb, kur na dëbonte Serbia, sepse nuk ishim si ata. Edhe ky është homoseksual dhe jep kontributin e vet, më mirë se shumë heteroseksual…

Ata që mendojnë se Shqipëria tregohet burrërore nëse nuk voton këtë ligj, duhet ta kuptojnë se ky ligj nuk shumon homoseksualët, por toleron jetën e tyre dhe se mospranimi i këtij ligji na bën kompatibël për kontinente tjera, jo mirëpo për Bashkësinë Evropiane. Është koha të tregojmë se kush jemi: si thotë Kadare evropian apo siç mendon Qosja: hem evropian, hem anadollak. Fjalën e keni Ju!

PS. Nuk pres lavdërime për këtë artikull, sigurisht shumë ofendime, mirëpo ashtu si luftuam për demokraci në Shqipëri, për liri në Kosovë, duhet të luftojmë edhe për këtë tolerancë. Nuk është askush i obliguar ta pranojë, por ta tolerojë diferencën! Reduktuesit dhe pezulluesit e lirisë individuale, do të jenë gjithmonë humbës…Pas votimit në Shqipëri, këtë ligj duhet ta aprovojë edhe Kuvendi i Kosovës.

Komunitetet fetare le të përpiqen këtë çështje ta zgjedhin me Zotin ( nëse i kanë punët mirë me të siç mendojnë) dhe ta pyesin pse ekzistojnë njerëz të tillë, e jo të merren me gjykimin tyre, sepse kjo është mënyra më banale dhe më primitive e trajtimit të një fenomeni.

Shkrimet e fundit nga Naser Aliu